• Today is: Wednesday, May 22, 2024

“Lavatriçja” e shpëlarjeve demografike

fakti
June09/ 2020

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë të dinë gjendjen reale, jo se me këtë ndryshon qasja radikale ndaj tyre, por është me rëndësi të dihen specifikat demografike që përcaktojnë edhe statusin juridik e politik. Nëse në të kaluarën kishte një diskriminim pozitiv që favorizonte logjikën e numrave për të shprehur politikën e përfaqësimit adekuat, sot kalohet në një diskriminim tjetër, duke ua mohuar njerëzve të deklarohen lirshëm se cilës përkatësi etnike i takojnë.

Nga Emin AZEMI, botues i Gazetës FAKTI

Regjistrimet që na tregojnë se sa banorë ka Maqedonia, janë gjysmake nëse nuk dihet se kush e përbën atë popullatë. Drejtori i Entit të Statistikave ka mundur të sheh ndonjë ëndërr në pikë të drekës, por atë s’e ndihmon naiviteti i shtirur se gjoja komponenta etnike qenka fare pa rëndësi në një proces regjistrimi. Madje, çfarë kuptimi ka regjistrimi, nëse njerëzit e etnive të ndryshme që jetojnë në Maqedoni nuk e dinë se janë shtuar, apo pakësuar.
Dikur insistohej me të madhe që të mbahet regjistrimi dhe “ta shohin shqiptarët se sa pak janë”. Këtë e thoshin nacionalistët maqedonas, kurse tani kalohet në një ekstrem tjetër. Regjistrim pa komponentën etnike e fetare, po kërkohet. Nesër, pasi të mbahet regjistrimi, do të thuhet se në Maqedoni jeton një grumbull insanësh pa përkatësi etnike e religjioze. Dhe sigurisht që dikush nuk po do të futet në rubrikat e frikshme të tkurrjes etnike. Fobia nga shifrat është shndërruar në makth që pamëshirshëm mbërthen ndjenjën e të qenit i vogël.

Shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë të dinë gjendjen reale, jo se me këtë ndryshon qasja radikale ndaj tyre, por është me rëndësi të dihen specifikat demografike që përcaktojnë edhe statusin juridik e politik. Nëse në të kaluarën kishte një diskriminim pozitiv që favorizonte logjikën e numrave për të shprehur politikën e përfaqësimit adekuat, sot kalohet në një diskriminim tjetër, duke ua mohuar njerëzve të deklarohen lirshëm se cilës përkatësi etnike i takojnë.

Regjistrimi i popullsisë në vetvete përbën një filozofi zhvillimi që shtetet e ndjekin për të matur parametrat e caktuar në një rrafsh më të gjerë identifikimi të problemeve sociale, ekonomike, urbane, etno-kulturore etj. Sikur të mos ishin këto atribute, nuk do ta kishim edhe strukturën e shoqërisë. Nëse bien këto atribute, bie edhe struktura. Me fjalë të tjera, Maqedonia do të popullohej prej një grumbulli njerëzish me identitet anonim etno-kulturor dhe si i tillë ky shtet do të shndërrohej në një “lavatriçe” që ua fshin banorëve etiketën e përkatësisë etnike. Mund ta imagjinojmë se si në atë “lavatriçe” hyjnë njerëzit me idenë që të pastrojnë vetullat dhe të mbeten pa sy. Vetëm kështu, të verbër,njerëzit mund të jenë të dobishëm për një të ardhme orveliane ku “kooperativa” demografike bluan identitetet dhe e shndërron në zomb gjithë atë masë amorfe njerëzish. Anonimiteti si zgjidhje idiote mund të jetë pasioni i fundit i ndonjë drejtori të Statistikave, i cili mundohet të fusë nën tavolinë një ofertë parapolitike, si test për të provuar (mos)gatishmërinë e pranimit apo refuzimit të një zgjidhje të tillë.

Joserioziteti për të propozuar një regjistrim pa komponentën e strukturës etnike, nuk është thjeshtë ide e njerëzve që zgjohen në mes të natës nga sikleti i pagjumësisë. Ata mund të kenë edhe ndonjë siklet tjetër, por me ide të tilla, më së paku mund të shuajnë këto siklete. Përkundrazi, mund të nxisin kundërefekte.